Picture

“Medalje historike”. Kështu e nis shkrimin për suksesin e xhudistit kosovar Akil Gjakova, sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Xhudos. Gjakova 17-vjeçar të shtunën u shpall kampion i Evropës për kadetë (U-18). Evropiani për kadetë po mbahet në Tallin të Estonisë, ndërsa xhudistët kosovarë për herë të parë paraqiten në një kampionat të tillë. Dhe menjëherë fituan medalje të artë, transmeton Koha Ditore. 

Suksesi i Akil Gjakovës është cilësuar historik edhe nga kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka. Deri më tani xhudistet kosovare ishin ato që shkëlqyen në arenën ndërkombëtare, ndërsa xhudistët kishin mbetur më prapa. Por sipas Kukës, në Kosovë po rritet një gjeneratë e xhudistëve që do të fitojë shumë medalje në garat e nivelit më të lartë ndërkombëtar. Me Akil Gjakovën fillimi duket premtues.

“Kam garuar për herë të parë në këtë ngjarje. Për këtë arsye ishte shumë mirë për mua që fitova këtu. Të gjitha luftërat ishin të vështira”, ka thënë Akil Gjakova për sajtin zyrtar të Federatës Evropiane të Xhudos (EJU). Sajti i EJU-së ka ngritur lart Gjakovën dhe xhudon kosovare në përgjithësi.

“Medalje historike për Kosovën. Akil Gjakova që përfaqësoi IJF-në fitoi medaljen e parë evropiane për vendin e tij në konkurrencën e meshkujve. Majlinda Kelmendi është bashkëvendësja e famshme e Gjakovës dhe lidere në kategorinë deri 52 kilogramë. Tani Akil Gjakova ecën gjurmëve të saj, në moshën 17-vjeçare. Gjakova e mposhti në finale të kategorisë deri 66 kilogramë Elnur Ahmadlin e Azerbajxhanit. Gjakova mposhti të gjithë gjashtë kundërshtarët e tij sot në Tallinn në kategorinë me konkurrencën më të madhe, me plot 44 pjesëmarrës”, ka shkruar sajti i EJU-së.

www.koha.net

Finalen mund ta shikoni ne videon me poshte:


Leave a Comment