Picture

kosovajudo.com
Në mbledhjen e bordit të federatës botërore të xhudos IJF, me 10 prill në orët e pasditës u miratua kërkesa e federatës së xhudos së Kosovës e drejtuar për pranim me të drejta të plota.

E tërë kjo u arrit pas punës së njëpasnjëshme të federatës së xhudos së Kosovës në krye me kryetarin Agron Kuka, si dhe angazhimeve të  parreshtura të  Ministrit për kulturë , rini dhe sport z.Memli Kraniqi, si dhe kryetarit të komitetit olimpik, Besim Hasani.

Federata e Xhudos e qon në katër numrin e federatave kosovare të anëtarësuar me të drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare. 

Në konferencën për shtyp, pas takimit, ministri Krasniqi vlerësoi se anëtarësimi i Federatës së Xhudos me të drejta të plota është një lajm shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ai tha se ky hap shërben për angazhim edhe me të madh drejt ndërkombëtarizimit të sportit, e po ashtu ka paralajmëruar se në dy muajt e ardhshëm priten anëtarësime të federatave tjera. 

“Fakti që kemi xhudon është shumë më domethënëse për faktin se ne me xhudistët kemi arritur sukseset më të mëdha botërore. Shembulli i Majlinda Kelmendit e dëshmon këtë. Dhe kur tash e tutje, Majlinda Kelmendi do të prezantohet me flamur të Kosovës, me himn, e barabartë me të gjitha xhudistet tjera është një moment jo vetëm që na emocionin por që na bën që të punojmë edhe më shumë për të krijuar mundësi të barabarta edhe për federatat dhe sportistet tjerë. Në rrugën tonë ky është një hap i rëndësishëm, dhe ne presim që në dy muajt e ardhshëm të kemi edhe formalisht federatën e pestë që të plotësojmë kriterin të rëndësishëm për aplikim të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, ka thënë ministri Krasniqi, teksa ka falënderuar drejtuesit e Federatës së Xhudos dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për angazhimin dhe koordinimin e vazhdueshëm që kanë treguar në gjithë këtë proces. 

Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe falënderoi ministrin Krasniqi dhe kryetarin e KOK-ut, Hasani për punën që kanë bërë në arritjen e këtij qëllimi. Kuka shprehi falënderime edhe për kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Mauris Vizer për ndihmën e madhe që iu ka ofruar xhudistëve nga Kosova.  


Leave a Comment