Picture

Majlinda e Nora, të arta

Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kanë fituar medalje të arta në Kupën evropiane ‘Swiss Judo Open’ në Gjenevë. Trajneri Driton Kuka ka vlerësuar lart paraqitjen e Gjakovës, e cila ka tejkaluar parashikimet, derisa për Kelmendin thotë se ky sukses do t’i japë vetëbesim.

Majlinda Kelmendi ka treguar edhe një herë se është njëra nga xhudistet më të mira në botë në kategorinë deri në 52 kg. Xhudistja pejane, të shtunën ka fituar medaljen e artë në Kupën evropiane ‘Swiss Judo Open’, në Gjenevë.

Majlinda Kelmendi, e cila qysh më moti e ka siguruar normën e pikëve olimpike për pjesëmarrje në Olimpiadën Londra 2012, në finale ka mundur gjermanen Verena Thumm.

Ndërsa edhe xhudistja tjetër pejane, Nora Xhakova, ka arritur të fitojë medalje të artë në kategorinë deri në 57 kg në Kupën evropiane ‘Swiss Judo Open’, e cila po mbahet në Gjenevë.

Gjakova, e cila po shkon hapave të shoqes së saj, në finale ka mundur xhudisten franceze, Morgane Brunet.

“Ky sukses i takon më shumë Norës sesa Majlindës, pasi për turne të këtij niveli Majlinda edhe ka qenë favorite. Ajo i fitoi të gjitha luftërat me Ippon dhe për një kohë shumë të shkurtër. Për Majlindën ky turnir ka rëndësi psikologjike që ajo të fitojë në vetëbesim”, ka thënë trajneri Driton Kuka.

“Nora në luftërat e saj ka treguar një nivel të lartë të xhudos, edhe pse nuk ka qenë favorite, ajo arriti të fitojë medalje. Nora me këtë ka treguar se ka kapacitet të arritjes së rezultateve kulminante”, shtoi ai.

Në këtë eveniment, përveç Majlindës dhe Norës, garuan edhe dy xhudiste të tjera kosovare, Leutrime e Distria Krasniqi. Xhudistet, të cilat janë pjesë të ekipit pejan Ippon, nuk kanë arritur të fitojnë medalje në këtë eveniment.

“Xhudistet e tjera kanë treguar një nivel mjaft të mirë, por u dëshmua se për të arritur rezultate duhet shumë punë, përkushtim dhe përqendrim. Leutrime Krasniqi ka treguar se ka kapacitet, mirëpo ende është e re që të arrijë rezultate të medaljes në këtë nivel ”, deklaroi Kuka.

“Distra Krasniqi gjithashtu ka treguar potencial të mirë. Mirëpo ajo duhet të fillojë në një kategori më të ulët, ku do të ketë shanse më të mira. Për të gjithë ekipin, ishte një përvojë e mirë dhe një matje e nivelit të xhudos që do të na ndihmojë që ta zhvillojmë ekipin edhe më tutje”, shtoi Kuka.

Ndërsa për  Lirona Hoxhën, e klubit Trepça të Mitrovicës ishte përvoja e parë ne kategorinë e seniorëve,prandaj nuk arriti qe të hynte ne mesin e më të mirave.


Leave a Comment