Picture

Majlinda Kelmendi të shtunën fitoi turneun “World Masters” që u mbajt në Tyumen të Rusisë. Në këtë turne u paraqiten 16 xhudistët më të mirë në botë në secilën kategori. Kelmendi doli kampione në kategorinë deri 52 kilogramë. 

Kelmendi ka bërë që për herë të parë në Rusi të intonohet himni i Kosovës dhe të shpaloset flamuri i Kosovës në një garë zyrtare të nivelit të lartë. Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe angazhohet kundër thyerjes së izolimit të sportit kosovar. Por të shtunën rusët është dashur të respektojnë Kelmendin. Atë e ka respektuar dhe përshëndetur edhe rusi Sergey Soloveychik, kryetari i Federatës Evropiane të Xhudos. Kosova për ndryshim nga Federata Botërore e Xhudos, në Federatën Evropiane është e pranuar me të drejta të kufizuara pikërisht për shkak të Soloveychikut. Ai në Tyumen ndau medaljen për Kelmendin.

“Worls Masters” llogaritet gara më e fortë e xhudos, pas turneut olimpik dhe kampionatit botëror. Paraqitet elita e xhudos botërore, ndërsa fondi shpërblyes i kësaj gare ishte 200 mijë dollarë. Kelmendi në ranglistën botërore mban vendin e parë në kategorinë deri 52 kg. Për këtë arsye ajo në xhiron e parë ishte e lirë. Në luftën e saj të parë, Kelmendi e mposhti spanjollen Laura Gomez. Në gjysmëfinale ishte më e mirë se rumunia Andreea Chitu, kurse në finale ishte më e mirë se mongolezja Tsolmon Adiyaasambuu. 

“Majlinda në katër javët e fundit ishte e sëmurë. Kishte probleme me mëlçinë dhe gjatë kësaj kohe ka stërvitur formalisht. Por, me gjithë problemet shëndetësore, ia doli të fitojë njërën prej garave më prestigjioze të xhudos në botë. Është hera e parë që fitojmë medalje në ‘World Masters'”, ka thënë trajneri i Kelmendit, Driton Kuka. Sipas tij, Kelmendi ka luftuar me mençuri dhe asnjëherë nuk ishte në rrezik për të humbur. 

“Ndoshta nga sëmurja, Kelmendi nuk ishte e furishme si zakonisht. Por për këtë arsye ka luftuar me mençuri dhe shumë sigurt. Ky është një virtyt i ri i saj. Nëse në të ardhmen ajo kombinon forcën që ka me mençurinë dhe sigurinë që e tregoi sot, do të jetë e pandalshme edhe në botëror”, ka shtuar Kelmendi.

Gjatë këtij viti Kelmendi ka fituar pesë medalje në gara të nivelit të lartë. Në dy turne “Grand Prix” fitoi medaljet e arta, në “Grand Slam” fitoi medalje të argjendtë, ndërsa në kampionatin evropian medaljen e bronztë. 

“Tani i kemi medaljet në të gjitha garat, duke përjashtuar botërorin dhe Lojërat Olimpike. Në botëror medaljen e presin në shtator. Kjo garë për nga cilësia është në nivel me botëror e Lojëra Olimpike”, ka shtuar Driton Kuka. 

Sipas tij, ndarja e medaljes për Kelmendin nga Soloveychik është gjest pozitiv i kryetarit të Federatës Evropiane. Kuka ka thënë se organizimi i garës në Rusi ishte shumë i mirë, ndërsa edhe pritja në nivel. Delegacionit kosovar i është bërë vetëm një provokim.

“Gjatë akreditimit na është bërë një lloj provokimi. Çdo delegacion duhet të dëgjojë dhe konfirmojë se është himni i tij, ndërsa ne na lëshuan himnin e Serbisë. Thanë se këtë e bënë pa dashje, por më pas himni u ndërrua dhe çdo gjë shkoi në rregull. Suksesi i Kelmendit bëri që himni i Kosovës për herë të parë të dëgjohet në Rusi dhe atë në një garë elitare”, ka theksuar Kuka. 

Triumfi në Rusi i siguron Kelmendit 700 pikë në ranglistën botërore. Ajo prin në ranglistë me mbi 300 pikë më shumë se përcjellësja e parë, pa llogaritur pikët e fituara për suksesin e fundit. Me këtë sukses e ka gati të sigurt përfundimin e vitit në pozitën e parë. Shumë pikë sjell vetëm edhe kampionati botëror. 

Kelmendi në Rusi ka mbrojtur edhe nderin e xhudos evropiane. Ishte xhudistja e vetme nga Evropa që fitoi medalje të artë në ditën e parë të garave. Garat u zhvilluan në shtatë kategori, ndërsa gjashtë kampionët e tjerë ishin nga Azia.  

Me poshtë mund të shikoni fotot e garës si dhe gjysëmfinalen dhe finalen.




Leave a Comment