Picture

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, u është kthyer sukseseve në arenën ndërkombëtare. Kelmendi, të shtunën, doli kampione në Kupën Botërore të kategorisë A për xhudiste që në fundjavë u mbajt në Romë të Italisë. Kelmendi 20-vjeçare, triumfoi në kategorinë deri 52 kg.

 Me fitoren e arritur në Itali, ajo do të ngrihet në ranglistën olimpike dhe tani marshon e sigurt drejt normës që siguron pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Londra 2012″. Pas suksesit në Romë, Kelmendi ka fituar plot 100 pikë në renditjen olimpike. Ajo pritet të kthehet në mesin e dhjetë xhudisteve më të mira të kategorisë deri 52 kg. Pas krizës në rezultate, sportistja më e mirë kosovare kishte rënë në pozitën e 11-të në renditjen olimpike. Lufta për normë olimpike përfundon më 1 maj të vitit të ardhshëm.

Kelmendi në luftën e parë në Romë mposhti francezen Marine Richard. Më pas ishte më e mirë se rumunia Stefania Andreea Chitu, që para disa javësh fitoi medaljen e bronztë në kampionatin botëror. Në gjysmëfinale, Kelmendi fitoi kundër francezes tjetër, Lucile Duport, kurse në finale ishte më e mirë se polakja Marta Kuban.

“Në finale Kelmendi ishte favorite, por polakja udhëhoqi dhe ishte në avantazh deri 30 sekonda pa përfunduar lufta. Por, Kelmendi me një hedhje në shpinë siguroi ‘Ippon’ dhe njëherësh medaljen e artë. Për të kjo është medalja e parë e artë në Kupa Botërore. Deri më tani në gara të këtij niveli ka fituar medalje të argjendta dhe të bronzta. Ky sukses vjen në kohën më të mirë, kur lufta për normë është bërë tepër e fortë”, ka thënë trajneri i Kelmendit, Driton Kuka.

Në kategorinë deri 52 kg u paraqitën 21 xhudiste. Gjithsej në Romë garuan 145 xhudiste të 36 vendeve të ndryshme.

“Jam shumë e gëzuar për suksesin e arritur. Medalja e artë mbetet e artë. Në këtë garë për Olimpiadë, 100 pikët që fitova sot janë shumë të vlefshme”, ka thënë Kelmendi për sajtin zyrtar të Federatës Evropiane të Xhudos (EJU).

Kelmendi është sportistja e vetme nga Kosova që po garon për normë olimpike. Asaj pritet t’i mundësohet paraqitja në olimpiadë, ndonëse gjasat që Kosova të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar para LO “Londra 2012″ vlerësohen shumë të vogla.

Përveç Kelmendit, në Romë u paraqit edhe Nora Gjakova. Ajo u mposht në luftën e parë në kategorinë deri 57 kg. Kelmendi e Gjakova në Romë u prezantuan me flamurin e Shqipërisë. Kjo pasi gara u organizua nga EJU që nuk e ka pranuar ende Kosovën. Në garat që i organizon Federata Botërore, Kelmendi e Gjakova përfaqësojnë Kosovën me flamur të IJF-së.


Leave a Reply

Be the First to Comment!

avatar
  Subscribe  
Notify of