Picture

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim kryetarin e Federatës së  Xhudos së Kosovës, z. Agron Kuka, selektorin e Kosovës në xhudo, z. Driton Kuka, si dhe  xhudistet e suksesshme të Kosovës, Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën.  

Ministri me këtë rast ka përgëzuar federatën dhe  xhudistet për sukseset e arritura në shumë gara ndërkombëtare, veçanërisht për medaljen e bronztë që xhudistja Nora Gjakova para disa ditëve e ka marrë në Test Event për Lojërat Olimpike “Londra 2012”.  Ministri Krasniqi ndërkaq shprehi besimin se sukseset nuk do të mungojnë as në të ardhmen dhe se sportistët kosovarë do të kenë perspektivë më të madhe.  Ai edhe një herë përsëriti se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do t’i mbështesë xhudistet Kelmendi dhe Gjakova, xhudistët tjerë, por edhe gjithë sportistët dhe federatat në Kosovë. Ministri Krasniqi  po ashtu tha se ka besim se sportistët nga Kosova do të jenë në mesin e garuesve në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, duke theksuar kështu se kontaktet dhe angazhimet po vazhdojnë që kjo të arrihet.

Nga ana e tyre kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, dhe selektori Driton Kuka e njoftuan ministrin për garat që kanë zhvilluar kohëve të fundit dhe sukseset e arritura në to. Duke e falënderuar ministrin për mbështetjen që ua ka dhënë në çdo kohë, ata shprehën përkushtimin se do të vazhdojnë me punë dhe suksese tjera.


 

Leave a Comment