Picture

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit solemnisht ka ndarë sot shpërblimet shtetërore për xhudisten Majlinda Kelmendi për Medaljen e Artë të fituar në Kampionatin Evropian të Xhudos të mbajtur në Montpellier të Francës me vlerë prej 20 mijë euro, dhe për Driton Kukën si trajner i fitueses së Medaljes së Artë, me vlerë prej 10 mijë euro.

Në ceremoninë e organizuar në MKRS, ministri Memli Krasniqi, në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare, ua dhuroi shpërblimet xhudistes Kelmendi dhe trajnerit të saj.

Ministri Krasniqi e cilësoi se sukseset e Majlinda Kelmendit janë bërë rutinore, që ajo t’i fitojë të gjitha medaljet e arta dhe konsideroi se është nder dhe privilegj që si institucion po i ndajnë këtë shpërblim, duke e përgëzuar edhe për videon e re të fushatës promovuese të Bashkimit Evropian.

“Kjo është një dëshmi që përmes sportit, por edhe përmes teje, edhe imazhi i Kosovës është shumë më pozitiv, dhe kjo ka ndikimin e vet siç e kanë pasur ndikimin të gjitha sukseset e juaja”, u shpreh ministri me këtë rast.

Ndërkaq për xhudisten, fakti që shumë sportistë të rinj po inspirohen prej saj, e bën që të ndjehet e gëzuar. Ajo tha se “sukseset kulminante në Kosovë po përkrahen dhe besoj shumë që cikli olimpik që fillon tani do të shkojë ashtu siç po planifikohet dhe se do të jemi bashkë në Lojërat Olimpike”.

Trajneri Driton Kuka kujtoi vështirësitë dhe sfidat me të cilat janë përballur për të arritur sukseset dhe kjo ndarje e shpërblimeve sot, sipas tij e përmbyll një kapitull të suksesit duke e sjellë edhe një medalje të munguar për sportin e Kosovës. 

Ai po ashtu përmendi se është një kënaqësi e veçantë që pas një pune të madhe BE-ja ka përzgjedhur si imazh të Kosovës një njeri nga sporti duke e vulosur kështu angazhimin tonë si sportistë por edhe si shtet. 

“Për imazh të shtetit tonë është përzgjedhur pikërisht Majlinda, por nuk kisha thënë vetëm kjo, por në përgjithësi dikasteri që ministri Krasniqi udhëheq dhe kjo tregon se prej krejt ministrive për shtetin e Kosovës MKRS-ja e ka bërë punën më të madhe”, tha Kuka duke e konsideruar sportin si shtyllën më të fuqishme të shtetit në katër vitet e fundit. 

http://www.mkrs-ks.org/


Leave a Comment