Picture

Xhudistja kosovare Nora Gjakova ka fituar medaljen e argjendtë në turneun e xhudos “European Open Women” që u mbajt në Pragë të Cekisë.

Në Pragë u paraqitën edhe Distria e Leutrime Krasniqi. Ato shënuan nga një fitore e një humbje. 

Deri në finale, Gjakova kishte arritur katër fitore. 
Fillimisht me “Ippon” mposhti kroaten Andreja Bekiq. 
Më pas ishte më e mirë se holandezja Sanne Verhagen, ndërsa në luftën e tretë mposhti gjermanen Johanna Mueller.

 Në gjysmëfinale, Gjakova fitoi kundër Anriquelis Barrios të Venezuelës. 
Edhe kundër Verhagenit e Barriosit, xhudistja pejane fitoi me “Ippon”.

-Rezultati është më i mirë se që kam pritur. Konkurrenca ishte shumë e fortë. Për shembull në kategorinë deri 57 kg është paraqitur edhe nënkampionia në fuqi olimpike. Ka pasur shumë befasi. Njëra prej tyre ishte edhe humbja e Norës në finale. Nora Gjakova kishte mposhtur katër herë francezen Huber deri më tani, ndërsa në finale ishte duke udhëhequr deri në 30 sekondat e fundit. Por më pas i ra koncentrimi dhe kështu humbi luftën dhe medaljen e artë, ka thënë trajneri i xhudisteve kosovare, Driton Kuka.


-Në luftërat e tjera Nora ka shkëlqyer, ani pse të gjitha kundërshtaret e saj kanë nivel. Grupi i saj ishte shumë i fortë.  Duke marrë për bazë konkurrencën, atëherë mund të vlerësoj se ky është suksesi më i madh i Norës në karrierën e deritashme, ka shtuar Kuka.


Nora Gjakova me këtë sukses ka fituar 60 pikë në renditjen botërore dhe pritet të përparojë për disa pozita. Aktualisht është e 34-ta. 

Në kategorinë deri 57 kg garoi edhe Leutrime Krasniqi. Ajo në luftën e parë mposhti hungarezen Katinka Szabo, por më pas humbi nga bullgarja Ivelina Ilieva. 

Distria Krasniqi bëri befasinë më të madhe në kategorinë deri 52 kg. Ajo mposhti në luftën e parë brazilianen Erika Miranda. Miranda është e treta në botë, ndërsa në Pragë ishte bartësja e parë. 
Gëzimi i Distrisë për këtë sukses nuk zgjati shumë. Ajo humbi luftën e dytë nga izraelitja Roni Schwartz.

-Në mungesë të përvojës Distria e Leutrimja nuk patën kontinuitet. Gjithsesi ato ngadalë po ngrihen dhe po paralajmërojnë karrierë të madhe, ka shtuar Kuka.

Nora me kete medalje ka fituar 60 pike te reja,duke u ngritur keshtu ne ranglisten boterore si e 32-ta.


Leave a Comment