Picture

Xhudistja kosovare, Nora Gjakova, përfundoi e shtata në Botërorin që po mbahet në Rio de Janeiro të Brazilit. Gjakova 21-vjeçare, që garoi në kategorinë deri në 57 kilogramë, nuk arriti të stoliset me medalje, mirëpo vetë arritja në mesin e tetë më të mirave, është vlerësuar sukses i madh nga trajneri i saj, Driton Kuka.

“Arritja në mesin e tetë më të mirave është sukses i madh. Jam i kënaqur me paraqitjen e Norës”, ka thënë Kuka. 

Gjakova nisi mjaft mirë garën të mërkurën, duke e mposhtur në luftën e parë argjentinasen Melissa Rodriguez me “ippon” pas 3:35 minutave. Në luftën e dytë, ajo pati përballë xhudisten portugeze Telma Monteiro, që renditet e pesta në botë, por arriti të ngadhënjejë me një “wazari” pas pesë minutave luftë. 

Luftën e tretë Gjakova e përfundoi mjaft shpejt, duke e mposhtur me “ippon” pas vetëm 1:01 minutave, holandezen Carla Grol. 

Në finale të grupit të saj, që ishte çerekfinalja e garës, Gjakova pësoi nga braziliania Rafael Silva me “ippon” pas 1:23 minutave luftë. Pas kësaj disfate xhudistja kosovare u paraqit në “repechage”, ku në sfidën e parë pësoi nga japonezja Anzy Yamamoto, për shkak të pasivitetit në luftë. Gjakova u ndëshkua me tre kartonë të verdhë, kurse kundërshtarja e saj me dy. Në këtë mënyrë Gjakova humbi mundësinë që të luftojë për medalje të bronztë. Në të vërtetë, deri vonë, Nora Gjakova ishte në epërsi ndaj japonezes, meqë kishte një karton të verdhë, kurse kundërshtarja dy, por në çastet e fundit gjithçka shkoi keq për kosovaren.

koha.net


Leave a Comment